Telegrafi

Llapi fiton me përmbysje ndaj Vushtrrisë

Llapi - Vushtrria (Foto: KF Llapi/Facebook)

Llapi e ka filluar sezonin e ri 2019/20 me fitore të thellë me rikthim 4-1 ndaj Vushtrrisë në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të Ipko Superligës së Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, por ishin vetëm mysafirët që gjetën golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 19-të dhe ishte Jasmin Roboshta, i cili shënoi për epërsinë e miqve 1-0.

Llapi tentoi ta barazojë rezultatin në minutën e 30-të me anë të Sebino Plakut, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Në pjesën e dytë, Llapi arriti të kthehet në lojë dhe të përmbys epërsinë e Vushtrrisë duke shënuar plot katër gola.

Ishte sulmuesi i ardhur këtë verë, Enis Zabërgja, i cili me dy gola (64′, 80′) arriti ta barazojë në 1-1 dhe të kalojë Llapin në epërsi 2-1.

Arbnor Ramadani (87′) shënoi për 3-1, ndërsa Labinot Osmani (90+) vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Pas kësaj fitore, Llapi e sheh veten në pozitën e dytë me tri pikë, ndërsa Vushtrria në vendin e 11-të pa pikë.

Në ndeshjen e radhës, ‘Legjendat’ udhëtojnë te Drenica, ndërsa ‘Forca’ e pret në shtëpi Trepçën ’89. /Telegrafi/