Llapi ka shënuar fitore të lehtë ndaj KEK-ut me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Klubi nga Podujeva ka vazhduar serinë pa humbje duke arritur kështu fitoren e katërt dhe një barazim nga pesë ndeshjet e luajtura.
Kësaj radhe viktimë e llapjanëve ishte KEK-u që nuk arriti për asnjë çast t’i bëjë ballë skuadrës së drejtuar nga Bylbyl Sokoli.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 14-të me anë të sulmuesit të talentuar Festim Alidema, i cili shënoi për 1-0 pasi paraboloi për mrekulli portierin kundërshtar dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Llapit, të cilët përkundër rasteve arritën të shënojnë edhe një gol.
Goli i dytë i llapjanëve erdhi në minutën e 70-të dhe ishte kapiteni Hamdi Namani, i cili shënoi me kokë për 2-0 dhe vulosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Pas kësaj fitore, Llapi ka 16-të pikë në vendin e dytë apo një më pak se lideri Feronikeli, ndërsa KEK-u nuk ka ende asnjë pikë në pozitën e fundit.
Në ndeshjen e radhës, ‘Legjendat’ luajnë në shtëpi ndaj liderit Niklit, teksa ‘Elektricistët’ e presin në shtëpi Ballkanin. /Telegrafi/