Llapi ka regjistruar fitore (2-0) si mysafir i Drenicës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Skuadra nikoqire bëri më shumë përpjekje në pjesën e parë duke tentuar të shënonte, mirëpo mungoi efikasiteti.
Armend Abazi e pati një prej rasteve më të mira për vendasit në fraksionin e parë, ndërsa një rast për t’u përmendur i mysafirëve ishte goditja e Egzon Sinanit.
Pak minuta brenda gjysmës së dytë, Llapi e zhbllokoi rezultatin. Një goditje e Mentor Zhdrellës nga gjuajtja e lirë, u ndal në rrjetë (51′).
Në vazhdim, nikoqirët krijuan disa raste në përpjekje për ta barazuar rezultatin, mirëpo nuk arritën që të shënonin.
Nga ana tjetër, në minutat shtesë, vizitorët e gjetën sërish rrjetën me golin e Ahmed Januzit (90’+3).
Kjo fitore, e pozicionon Llapin në vend të dytë në tabelë, me dy pikë prapa Prishtinës (që fitoi në udhëtim te Gjilani) dhe një pikë përpara Feronikelit (që të dielën luan kundër KEK-ut).
Drenica është e pesta në tabelë dhe qëndron pesë pikë larg zonës së ‘play-outit’. /Telegrafi/