Llapi ka arritur të fitojë ndaj Prishtinës me rezultat minimal 1-0 ndeshjen derbi të javës së 20-të të Superligës së Kosovës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë dhe shumë tensione nga të dyja skuadrat.
Rasti i parë i takoi mysafirëve, por goditja e Arago Jamal në minutën e tretë shkoi mbi portë.
Llapi provoi me anë të Ahmed Januzit (26′), por gjuajtja e tij me kokë u mohua nga portieri Visar Bekaj.
Në pjesën e dytë, Llapi hyri furishëm duke gjetur golin pas vetëm dy minutave dhe ishte Januzi, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të mrekullueshëm nga Mentor Zhdrella.
Pas këtij goli Llapi pati edhe një rast të mirë me anë të Miran Maksutit (57′), por goditja e tij nga afërsia nuk gjeti cakun.
Në vazhdim të ndeshjes, Prishtina provoi disa herë të gjej golin, por Llapi ishte shumë i ngjeshur në mbrojtje dhe nuk arritën atë.
Në fund të ndeshjes pati përsëri shumë tensione, ku Armend Dallku u ndëshkua me të kuq dhe Llapi në fund fitoi ndeshjen me rezultat minimal 1-0.
Pas kësaj fitore, Llapi gjendet në vendin e tretë me 41 pikë apo dy më pak se Prishtina e dyta dhe shtatë më pak se Feronikeli në pozitën e parë.
Në ndeshjen e radhës, Prishtina pret në shtëpi Feronikelin, ndërsa Llapi udhëton te Gjilani. /Telegrafi/