Site icon Telegrafi

Llapi eliminon Ballkanin pas penalltive dhe vazhdon në çerekfinale

(Foto: Facebook/Llapi K.F.)

Llapi është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll, pas fitores ndaj Ballkanit në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”në Podujevë që u vendos pas penalltive.

Të dyja skuadrat u përpoqën të krijonin raste rreziku në minutat e parë, mirëpo dështonin të ishin efektive.

Disa minuta brenda pjesës së parë u ndërpre ndeshja për shkak të hedhjes së mjetev piroteknike nga disa tifozë.

Derisa vendasit bënë përpjekje më të mëdha në gjysmën e parë, në të dytën, ishin mysafirët ata që e deshën më shumë golin.

Në minutën e 75-të me karton të kuq u përjashtua portieri i Ballkanit, Damir Ljuljanovic.

Deri në mbyllje të kohës së rregullt, asnjëra nga skuadrat nuk ia doli të shënonte, ashtu që ndeshja shkoi në vazhdime.

Edhe në pjesën e parë të vazhdimeve, rrjetat mbetën të paprekura, ndërsa skuadrat nuk shënuan as në 15 minuta e fundit dhe vendosën penalltitë.

Më të saktë nga pika e bardhë u treguan lojtarët e Llapit duke siguruar pjesëmarrjen në çerekfinale. /Telegrafi/

Exit mobile version