Klubi nga Podujeva, Llapi ka shënuar me lehtësi fitore ndaj KEK-ut në Obiliq me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Sezoni pranveror i Ipko Superligës së Kosovës ka nisur sot (e premte) me përballjen e vendit të fundit në tabelë, KEK-ut ndaj Llapit, ku fitore shënuan llapjanët, të cilët realizuan fitoren e pestë me radhë në kampionat.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim dhe menaxhim të lojës nga mysafirët, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola.
Rasti i parë serioz në ndeshje erdhi në minutën e 18-të, kur mbrojtësi Bujar Idrizi goditi bukur me kokë, por topi u ndal nga shtylla pingule.
Llapi vazhdoi me rastin e Festim Alidemës (23′), goditja e të cilit nga distanca u prit nga portieri, ndërsa në minutën e 36-të u pengua në zonë dhe fitoi penallti.
Nga penalltia ishte i saktë mesfushori kreativ, Mentor Zhdrella, i cili shënoi për epërsinë e Llapit 1-0.
Në minutën e 39-të KEK-u mbeti pa një lojtar pasi Tërvioll Stullqakun u ndëshkua me të kuq pas një goditje në Zhdrellën, ndërsa në minutat shtesë ishte Hamdi Namani që shënoi për 2-0.
Në pjesën e dytë, Llapi vazhdoi me dominim, raste dhe manaxhim të lojës, ndërsa në fund arriti ta gjej edhe një gol.
Ishte minuta e 89-të kur i inkuadruari në lojë Arbnor Ramadani kaloi portierin kundërshtar për të shënuar për rezultatin përfundimtar të ndeshjes 3-0.
Pas kësaj fitore, llapjanët kanë 38 pikë në vendin e tretë apo vetëm dy më pak se vendi i parë Prishtina, ndërsa KEK-u zë pozitën e fundit me vetëm një pikë.
Në ndeshjen e radhës, ‘Elektricistët’ udhëtojnë te Ballkani, ndërsa ‘Legjendat’ udhëtojnë te Feronikeli. /Telegrafi/