Në mbledhjen e 8 shkurtit, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për çështje Ekonomike, kishte nisur procedurën e falimentimit të ndërmarrjes Llamkos, duke e udhëzuar administratorin e falimentimit ta organizojë shitjen përmes ankandit publik.
4.8 milionë euro ishte çmimi minimal për asetet e fabrikës Llamkos në Vushtrri, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje.
Në ankandin publik që u mbajt sot (e hënë), kjo kompani është shitur për 6 milionë euro.
Punëtorët shpresojnë të mos i ndryshohet destinimi, ku lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Llamkosit.
Kryetari i sindikatës, Ragip Hasani, ka thënë për Telegrafin se është premtuar se do të vazhdoj po me të njëjtin aktivitet.
“U shit sot për 6 milionë euro te kompania Emona shpk. Gjithmonë kemi menduar se e merr një kompani që punon me atë drejtim. Është premtuar se do të vazhdoj në këtë drejtim, por çfarë do të bëhet një Zot e di. E kemi nijet që brenda javës me i informuar të gjithë”, tha Hasani.
Ndryshe, privatizimi i fabrikës Llamkos kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 dhe kjo ndërmarrje ka mbetur në proces të falimentimit. /Telegrafi/