Stadiumi ‘Ferki Aliu’ në Vushtrri sot ishte mbushur përplot me tifozët ‘Forca’ të cilët dhuruan atmosferë impozante gjatë tërë takimit.
Pjesa e parë kaloi nën dominimin e plotë të vendasve, të cilët edhe shënuan një gol nëpërmjet Arbër Prekazit, mirëpo ky gol u anulua për shkak të pozitës jashtë loje. E në anën tjetër mysafirët nga Ferizaj patën vetëm një rast të rrezikshëm me Ylber Ramadanin, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Në pjesën e dytë erdhi goli i shumëpritur nga Llamkos Kosova. Realizues ishte super-talenti Milot Rashica që realizoi bukur në minutën e 53-të, ndërsa deri në fund të ndeshjes rrjetat nuk u tundën më.
Me këtë fitore, Llamkos Kosova forcon kreun me 58 pikë, ndërsa Ferizaj zbret në pozitën e tretë me 51 pikë.
Prishtina mposhtë Drenicën në kryeqytet
Skuadra e Suad Keçit ka shënuar një fitore të madhe ndaj Drenicës me rezultat 2-1 që do t’i mbajë ata në luftë për titull. Për bardhekaltërit shënuan Azem Ahmeti nga gjuajtja e lirë në minutën e 54-të, ndërsa Driton Krasniqi ua dha golin e fitores me kokë (82’), ndërsa për mysafirët shënoi Granit Arifaj në minutën e 71-të.
Në dy ndeshjet tjera që u zhvilluan sot, Hajvalia shënoi fitore të lehtë ndaj Besës me rezultat 3-0, ndërsa ndeshja mes Trepçës ’89 dhe Dritës u ndërpre kur gjilanasit e barazuan rezultatin në 2-2, me ç’rast tifozët ‘Torcida’ u futën në fushë duke aluduar në kurdisjen e kësaj ndeshjeje. Burimet e Telegrafit thonë se ndeshja ka rifilluar dhe sapo ta kemi rezultatin përfundimtar do t’ju njoftojmë. /Telegrafi/
E plotësuar: Tashmë ka mbaruar edhe ndeshja mes Trepçës ’89 dhe Dritës me rezultat përfundimtar 2-2. /Telegrafi/