Kjo ndeshje njëherësh ishte edhe derbi i kësaj jave dhe me plotë meritë e meritoi këtë epitet, për arsye se edhe në shiun e madh që binte në Vushtrri, aty qenë të pranishëm mbi 3000 shikues, ndërsa tifozët vendas ‘Forca’ dhuruan atmosferë impozante gjatë tërë takimit.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 8-të kur Semir Zeneli shënoi nga afërsia për t’i dhënë skuadrës së tij epërsinë, teksa në minutën e 33-të Alban Dragusha e ngriti epërsinë në 2-0, dhe kështu përfundoi edhe pjesa e parë nën dominimin e vendasve.
Pjesa e dytë ishte shumë më dramatike pasi që ekipi mysafirë u kthye furishëm në lojë, mirëpo krejt cfarë arritën të bënin ishte një gol i shënuar në minutën e 85-të nga Betim Haxhimusa, i cili e shfrytëzoi një tollovi në zonë të krijuar nga harkimi i Taulant Dajakut.
Me këtë fitore të madhe, Llamkos Kosova e ruan primatin në superligën e Kosovës me 37 pikë dhe njëherësh shpallet edhe kampion vjeshtor, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e dytë me 28 pikë.
Në dy takimet tjera që u zhvilluan sot, Trepça barazoi me Ferronikelin 1-1, ndërsa Drita e befasoi Hysin duke e mposhtur me rezultat 2-0. /Telegrafi/