Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar një video nga aeroplani, duke thënë se udhëheqja e një komune është e njëjtë sikur drejtimi i aeroplanit.
Lladrovci ka shkruar se “vërtetë, në jetë kam drejtuar makina të ndryshme, të punës, luksoze e luftarake, traktor e bager, 128 e PZ, deri te benzi e pincgaueri, por aeroplani është diçka tjetër”.
“Udhëheqja e një komune është sikur drejtimi i këtij aeroplani. Besimi qytetar është themelor për të pasur jo vetëm vullnet e dëshirë, por edhe guxim për ta drejtuar. Besimi qytetar më bën të parashikoj që gjatë udhëtimit edhe pse në drejtimin e duhur, mund të has në turbulenca”, thotë ai.
Më tej, ai ka thënë se “ kryetari sikur piloti i mirë, merr përsipër këto rreziqe dhe së bashku me të gjithë udhëtarët aterron shëndosh e mire”.
“Po, për këtë, përgjegjësia është e plotë me veprime të sakta edhe gjatë pilotimit edhe gjatë qeverisjes. Nuk mjafton talenti që mëson shpejt e me ia fillue me grah aeroplanin. Përvoja e jep shijen për një opsion. Ky opsion i vetëm është rruga e drejtë”, thotë në shkrimin e bërë Lladrovci.
Theksojmë së ditë më parë, kandidaturën për kryetar të Drenasit e ka paraqitur edhe Driton Ajazi, ndërkohë Lladrovci ka reaguar duke thënë se vazhdon të jetë kandidat edhe për një mandat dhe se për këtë e ka marrë mbështetjen e kryetarit në detyrë të PDK-së. /Telegrafi/