Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është duke vëzhguar nga afër zonat e prekura nga zjarri si pasojë e temperaturave të larta në disa fshatra të kësaj komune.
Në një komunikatë të lëshuar nga Komuna bëhet e ditur që edhe në këto orë të vona, Lladrovci gjendet bashkë me zjarrëfikësit në tentim të shuarjes së zjarreve në disa lokacione të fshatrave të kësaj komune.
“Edhe në këto orë të vona, zjarrfikësit po bëjnë luftë me zjarrin për ta lokalizuar. Me ta po qëndron edhe kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci. Për shkak të motit të nxehtë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe vështirë për t’u lokalizuar. Megjithatë, zjarrfikësit nuk janë duke u ndalur”, thuhet në komunikatë.
Pasditen e së mërkurës, në fshatin Godanc, përkatësisht afër vendit Guri i Plakës, është raportuar për një zjarr në malet e kësaj zone. Në vendin e ngjarjes kanë dal menjëherë zjarrfikësit e Komunës së Drenasit dhe Policia. /Telegrafi/