Site icon Telegrafi

Lladrovci nënshkruan kontratë me Policinë, ua jep për shfrytëzim një pronë në Komoran

Foto: Arkiv

Të martën më 16 korrik 2024, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxhën, ka nënshkruar Kontratë për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës së Drenasit në Komoran për nevojat e Policisë së Kosovës.

Për dhënien e kësaj prone për shfrytëzim kanë nënshkruar asamblistët e Kuvendit të Drenasit, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, kryetari i Drenasit në një njoftim ka thënë se kjo marrëveshje është kërkesë e kahmotshme e qytetarëve të asaj zone dhe se barazia para ligjit është e panegociueshme.

“Falënderoj asamblistët e Kuvendit të Drenasit, të cilët votuan për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone në pronësi afatgjate për Policinë e Kosovës, njëherësh, është realizuar kërkesa e kamotshme e qytetarëve të kësaj ane për ngritjen e sigurisë dhe rendit. Dua ta siguroj secilin qytetar të Komunës së Drenasit se barazia para ligjit është e panegociueshme, gjasat dhe mundësitë e barabarta, janë themeli i lirisë tonë. Ruajtja dhe ngritja e vlerës së pronës publike, është pjesë e pandashme e besimit qytetar, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka garantuar secilin qytetar, dashamirës të rendit e ligjit se komuna e Drenasit përderisa ai e ka besimin qytetar, prona publike e komunës së Drenasit nuk do të bëhet pre e paligjshmërisë. /Telegrafi/

Exit mobile version