Site icon Telegrafi

Lladrovci: Lidhja e Drenicës me PDK-në është e pashkëputshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, zhvilloi një takim konsultativ me qytetarët e Arllatit, në kuadër të fushatës për kryetar të komunës së Drenasit.

Në takim sipas njoftimit për media, morën pjesë qindra qytetarë të këtij fshati, me këtë rast, Veseli foli për sfidat aktuale të shtetndërtimit, duke u fokusuar te zhvillimet aktuale në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit.

“PDK ka një kandidat për kryetar të Drenasit, ai është Ramiz Lladrovci. Me të, Drenasi dhe qytetarët e saj do të njohin zhvillim sepse Ramiz Lladrovci ka mbështetjen e plotë, të strukturave qendrore e lokale që të zbatojë planin dhe vizionin për Drenasin ashtu siç e duan qytetarët e saj”, theksoi Veseli.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së, për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në këtë takim konsultues, theksoi se Drenicën dhe PDK-në, nuk mund t’i ndajë asgjë.

“Lidhja e Drenicës me PDK-në është e pashkëputshme, asgjë nuk mund t’i ndaj ato, unë do të bëj më të mirën për Drenasin dhe qytetarët e saj që kjo lidhje të forcohet edhe më shumë”, theksoi kandidati i PDK-së, për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Pas këtij takimi konsultativ, në Komoran, u mbajt një i tillë me strukturat lokale dhe qendrore të PDK-së nga kjo anë, me ç’rast u diskutuan kahet e zhvillimit lokal dhe kandidaturës së PDK-së për kryetar të Drenasit, të përfaqësuar nga Ramiz Lladrovci.

Exit mobile version