Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pas kandidimit për kryetar të Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës.
Dorëheqjen e tij Lladrovci ia ka paraqitur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministrit të Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.
Lexojeni ltrën e dorëheqjes së Lladrovcit:
Dorëheqja ime nga Ambasadori i R. Kosovës në Shqipëri!
SH.T.Z Hashim THAÇI
President i Republikës së Kosovës
SH.T.Z Enver HOXHAJ
Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës
Tiranë, më 8 nëntor 2016
I nderuar Shkëlqesia Juaj President Hashim Thaçi,
Duke ju falenderuar përzemërsisht për emërimin tim në detyrën e lartë të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, më lejoni që sot, të paraqes para Jush dhe Institucioneve të Kosovës, dorëheqjen time të parevokueshme, për shkak të kandidimit tim në postin e Kryetarit të Komunës në Drenas.
Në të gjithë periudhën që kam ushtruar detyrën e lartë të ambasadorit në Tiranë, kam bërë të gjitha përpjekjet për të krijuar klimën E bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes dy shteteve tona dhe jam i lumtur që puna ime është cilësuar në nivele të larta.
Dorëheqja ime sot vjen menjëherë pasi Partia Demokratike e Kosovës e gjeti të arsyeshme të më kandidojë në vendlindjen time, në Drenas, për të vazhduar punën e suksesshme të pararendësve të mi në këtë detyrë.
Të jeni të bindur se, duke besuar në verdiktin e popullit të Zonës sonë, nëse do të gjejë të arsyeshme staturën time politike për ta mbështetur atë, e gjithë puna dhe veprimtaria ime do të jetë e përqëndruar në prosperitetin dhe begatinë e banorëve të vendlindjes sime, njëra nga zonat më të spikatura për atdhedashuri, punë dhe përkushtim.
Me konsideratë të lartë
Ramiz Lladrovci