Telegrafi

Lladrovci, Gecit: Nuk të ka thirrur askush ta bësh rolin e gjyqtarit

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci ka vazhduar polemikat me Rexhep Selimin, ndërkohë që ka folur edhe për Gani Gecin.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Në emisionin e mbrëmshëm televiziv ‘Interaktiv’, në KTV, Gani Geci, njohjet e mia me te cilin janë sipërfaqësore, bëri një deklaratë, në lidhje me debatin e hapur rastësisht mes meje dhe zotit Rexhep Selimi.

Ai, Geci, duke cituar një thënie, që nuk e kam dëgjuar kurrë, nga një epror i UÇK-së, nga familja Jashari, deklaroi se pas luftës zoti Selimi paska qenë i kërcënuar.

Këtë pohim të tij nuk e di dhe as nuk e kam dëgjuar kurrë. Mendoj se është shtesë në një debat ku nuk e ka thirrur askush të bëjë gjyqtarin.

Unë vetë kam sjellë në kohë ngjarje të para vitit 1998. Në fund, për të bërë të qartë pozicionin tim, duke qenë një temë e ezauruar përfundimisht nga unë, mund të them se, megjithë mosmarrëveshjet e shkuara mes zotit Selimi dhe meje (nesh), përsëri ai është për mua shumë më i afërt se Gani Geci, apo të tjerë, që duke përfituar nga një debat i së shkuarës, përpiqen të ndezin një zjarr të sotëm.

Ndërkohë pata ‘fatin’ të lexoj një koment të zotit Selimi në fcb dhe “e falenderoj” për “konsideratën”. Interesant është fakti se i njëjti Emision që intervistoi zotin Selimi, ishte edhe tek Geci.

Por, duke lënë prapa të djeshmen, habitem se si një njeri, i cili, ku ishte lufta, nuk ishte ai, dhe ku ishte ai, nuk kishte luftë, argetohet sot, me ate që synoi të bënte ndaj disa figurave të shquara, që sot janë Heroj të Kosovës, e disa edhe heroj të kombit shqiptar”. /Telegrafi/