Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është i ftuari i radhës në debatin ‘Jeta në Komunë’, përballë gazetares Jeta Xharra.
Lladrovci në fillim të debatit është pyetur për tenderët e shumtë që kjo komunë ia dha dy kompanive për një periudhe të shkurtë.
Përveç kësaj, Lladrovci u pyet edhe për fotografinë e tij në një kafe me Mehdi Gjokën, biznesmeni që fitoi 20 tenderë për 15 muaj në komunën e tij.
I pari i Drenasit u arsyetua se nuk i jep ai tenderët, duke shtuar se ka të drejtë të pi kafe me kë të dojë.
“Ligji nuk ma lejon që me dhanë unë tendera. Zyra e prokurimit lidh marrëveshje në bazë të specifikave dhe çmimit që ofertojnë. Nuk fitohen tenderët me çmimin ekonomikisht me të mirë, po më të lirë”, tha ai.
“Unë edhe me qytetarët e mi pi kafe, se nuk jemi në komunizëm qe me m’tregu dikush se me kë pi kafe, e më kë jo… Tenderët unë as nuk i jepi, e nuk mundet me ma ndalu askush me kanë me nejtë e me pi kafe, nuk i këqyri unë kush i merr tenderat, po cilësinë e punës, edhe punët qysh i bën dhe a e respekton qat kontratë që e ka nënshkru”, shtoi Lladrovci.
Ai deklaroi që janë duke bërë zvogëlim të dhënieve të kontratave në mënyrë që për një rrugë të shkurtër mos të jepet tender i posaçëm./kallxo.com