Nën sloganin “Dare to Be the Change” [Guxoni të jeni ndryshimi], një ndër konferencat më të mëdha të teknologjisë në Ballkan, DOKU.TECH, këtë vit po shënon Edicionin e 8-të me radhë.
DOKU.TECH– të cilin e sjell IPKO Foundation – edhe këtë vit për shkak të rrethanave pandemike, vjen tek audienca me një program të kombinuar mes virtuales dhe fizikes, i cili përmban: fjalime nga sipërmarrës të suksesshëm ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori 48 orëshe për krijimin e lojërave, e njohur si Game Jam, si dhe Sfidën “Do It Yourself [DIY]”.
Këtë të shtunë, duke filluar nga ora 19:35 në RTV Dukagjini dhe në Kallxo.com do të transmetohet emisioni i dytë me radhë i këtij edicioni të DOKU.TECH.
Emisioni i dytë do të nis me rrëfimin interesant të Bashkëthemeluesit dhe Drejtorit Ekzekutiv të Kompanisë “Cyborg Nest”, Liviu Babitz, i cili ka gjetur një mënyrë për të zgjeruar përceptimin tonë për botën.
Me ndihmën e teknologjisë së avancuar, Liviu rrëfen se si përmes shqisave mund të marrim informacione shtesë për botën që na rrethon.
Gjatë rrëfimit, ai do të demostrojë edhe pajisjen bio-hack, të cilën e bartë në krah si dhe do të tregojë më shumë për funksionet që kryen ajo pajisje.
Emisioni do të vazhdojë me fjalimin inspirues të themelueses së Studios të Modës së Ngadaltë & Teknologjisë së Modës në Prishtinë, Hana Zeqa. “Fight or Flight” zhvillon veshje protipi të teknologjisë së modës, të bazuar në kërkime dhe veshje të përditshme të modës së ngadaltë, duke synuar gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe të qëndrueshme përmes tekstileve të zgjuara dhe digjitale.
Kujtojmë se të ftuar në emisionin e parë të DOKU.TECH kanë qenë Drejtori i Strategjisë Digjitale në Shtëpinë e Bardhë, Rob Flaherty, si dhe profesori i mirënjohur në bazën e të dhënave, Naim Hoxha.
DOKU.TECH do të vazhdojë programin edhe me të ftuar të tjerë, të cilët do t’i prezantojmë javën e ardhshme.