Site icon Telegrafi

Liverpooli synon ta zëvendësojë Diazin me futbollistin shqiptar që shkëlqeu në Bundesliga

Liverpooli po lidhet me një transferim të mundshëm të sulmuesit shqiptar Brajan Gruda i cili aktivizohet në radhët e Mainzit në Gjermani.

Gruda i cili luan për Gjermaninë U21 dhe ka bërë shtatë paraqitje, raportohet se do t’i kushtonte “Të Kuqve” diku rreth 22 milionë euro pasi ka kontratë me klubin gjerman deri në verën e vitit 2026.

Ky raportim vjen nga mediumi gjerman BILD, që po ashtu shton se një numër i madh klubesh janë të interesuar për shërbimet e 19-vjeçarit.

Gruda sezonin që lamë pas kishte kompletuar sezonin e tij të parë të plotë në futbollin profesionist, aty ku ka luajtur së bashku me Sepp van den Berg që është i huazuar nga Liverpooli.

Talenti shqiptar ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar tri asistime në Bundesliga, duke u bërë kështu lojtari i tretë i Mainzit që kontribuon në gola të shënuar.

Ajo që e karakterizon më së miri lojën e Grudës janë driblimet. Gruda ishte në mesin e nëntë lojtarëve me driblimet më të suksesshme në Bundesliga sezonin që lamë pas.

Për aftësitë e tij për të dribluar, Gruda ishte krahasuar me yjet si Luis Diaz dhe Vinicius Junior, madje sipas statistikave ai ka kompletuar më shumë driblime për 90 minuta se sa dy të lartpëmendurit.

Duke ditur se trajneri i ri i Liverpoolit, Arne Slot, kishte përdorur driblimet si një komponent kyç për ndërtimin e strategjive të lojës tek Feyenoordi, Gruda mund të jetë një opsion atraktiv për të.

Sipas BILD, përveç Liverpoolit, në Angli interesim për Grudën kanë shprehur edhe ekipe si Aston Villa dhe Newcastle, ndërsa ai ka ofertë edhe nga Bayer Leverkuseni i Xabi Alonsos./Telegrafi/

Exit mobile version