Liverpooli ka shënuar një fitore të vështirë në shtëpi ndaj Sunderlandit, me rezultat 2-0.
Djelmoshat e Jurgen Klopp kanë arritur të marrin një fitore të madhe ndaj skuadrës së mesfushorit shqiptar, Adnan Januzaj, fitore kjo që i pozicionon në vendin e parë të Ligës Premier, me 30 pikë, po aq sa ka edhe Manchester City, në vend të dytë.
Redsat e nisën furishëm takimin duke provuar disa herë të gjejnë golin e epërsisë, por edhe pas shumë rasteve ishin të pasaktë ose ua mohonte golin portieri, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e parë të ndeshjes u lëndua ylli kryesor i skuadrës, Philippe Coutinho, i cili u detyrua ta lë fushën e blertë në minutën e 30-të.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të ‘Reds’ që sulmonin pareshtur për të gjetur golin e parë të takimit, me anë të Roberto Firmino (58’), Emre Can (65’) dhe Sadio Mane (73’), por topi nuk donte të hynte në portë.
U desh të presim minutën e 75-të për të parë golin e parë të ndeshjes, i cili erdhi me anë të Divock Origut, i cili shënoi pas asistimit të Jordan Henderson.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit shënuan edhe një herë me anë të James Milner, i cili konvertoi penalltinë në gol në minutën e 91-të, për rezultatin përfundimtar 2-0.
Vlen të theksohet se Adnan Januzaj u inkuadrua në lojë në minutën e 79-të duke zëvendësuar Duncan Watmore.
Në javën tjetër, Liverpooli luan në udhëtim te Bournemouthi, ndërsa Sunderlandi pret në shtëpi Leicester Cityn. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=koyGlw0wurE
https://twitter.com/MeticulousMane/status/802555595786174464