Site icon Telegrafi

Liverpooli lëshon fitoren nga dora, Newcastle merr një pikë të madhe në Anfield

Liverpooli e ka lëshuar fitoren nga duart e saj në sekondat e fundit të ndeshjes ndaj Newcastle United.

Pas 96 minutave lojë, në fund rezultati ishte i barabartë 1-1.

Vetëm pas tre minutave lojë vendasit kaluan në epërsi, kur sulmuesi egjiptian Mohamed Salah realizoi një gol të bukur për epërsinë e vendasve 1-0.

Epërsia e hershme bëri që vendasit të jenë më të qetë në fushë, edhe pse krijuan raste të shumta shënimi.

Mohamed Salah, Diego Jota, Roberto Firminio e Sadio Mane patën raste të mira shënimi, por që pa arritur të dërgojnë topin në rrjetë.

Kësisoj pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të The Reds 1-0.

Edhe në pjesën e dytë vendasit dominuan, por ata që shënuan ishin mysafirët.

Fillimisht Newcastle barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 92-të me Callum Wilson, por që goli i tij u anulua për shkak se kishte prekur topin me dorë.

Por krejt në fund të ndeshjes, mysafirët barazuan gjithçka kur shënoi Joseph Willock për 1-1.

Me këtë barazim, Liverpooli mbetet në vendin e gjashtë në tabelë me 54 pikë, një më pak se Chelsea dhe West Ham United që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndeshjen e ardhshme Liverpooli do ta zhvillojë në udhëtim derbin me Manchester United, derisa Newcastle United pret Arsenalin. /Telegrafi/

https://twitter.com/mandrrilo/status/1385920598518415361?s=20

https://twitter.com/mandrrilo/status/1385948270808162304?s=20

Exit mobile version