Liverpooli raportohet se ia ka caktuar çmimin mesfushorit Harvey Elliott mes raportimeve që e lidhin atë me një largim të mundshëm nga ‘Anfield’.
Pasditen e së shtunës, Elliott ishte në formacionin titullar të Liverpoolit në fitoren me rezultat 4-0 ndaj Accrington Stanley në FA Cup.
Pas dy paraqitjeve zhgënjyese, të besuarit e Slot ishin në formë të mirë duke siguruar fitoren me golat e Diogo Jota, Trent Alexander-Arnold, Jayden Danns dhe Federico Chiesa.
Siç ka raportuar The Sun, Liverpooli do të dëshironte një shifër prej 35-40 milionë eurosh për të ndarë rrugët me Elliott.
Deri më tani këtë sezon, anglezi ka arritur të luajë vetëm 43 minuta përgjatë shtatë ndeshjeve në Ligën Premier.
“Pajtohem me ju që ai është një lojtar i talentuar. Ai ka qenë këtu për ne për një kohë të gjatë”.
“Gjatë javëve të fundit ai ka luajtur më shumë, por njësoj si për të dhe gjithë të tjerët, ka konkurrencë me shumë lojtarë të mirë. Ai ishte i pafat që pas dy ndeshjesh u lëndua dhe ishte jashtë për një kohë të gjatë”.
“Dhe nga ajo që kam parë deri tani, me të gjithë lojtarët që kanë qenë jashtë fushave për një kohë, në këtë ligë, me këtë tempo, me këtë intensitet dhe kualitetin që kemi, nuk është e lehtë të kthehesh dhe të jesh menjëherë në nivelin tënd më të mirë”, ka thënë Slot kur u pyet për Elliott./Telegrafi/