Në Anfield është zhvilluar kryendeshja e javës së 32-të në Ligën Premier, në të cilën Liverpooli e ka mposhtur Tottenham Hotspurin me rezultat 2-1.
Nikoqirët e nisën mirë sfidën duke e zhbllokuar rezultatin në minutën e 16-të. Andrew Robertson sulmoi nga krahu i majtë dhe dërgoi një harkim në zonë, të cilin e priti Roberto Firmino për të shënuar me kokë.
Menjëherë pas, një rast të mirë e pati Trent Alexander-Arnold, por nuk ishte i saktë. Sadio Mane rrezikoi në vazhdim të lojës, mirëpo pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale.
Mysafirët rrezikuan në pjesën e dytë përmes Christian Eriksenit, ndërsa më vonë, në minutën e 70-të, u shënua goli i barazimit. Ishte pikërisht Eriksen, fubtollisti që dhuroi një asistim të mirë për Lucas Mouran dhe braziliani nuk mund të gabonte.
Në vazhdim, Redsat u përpoqën të krijonin aksione, mirëpo Spursat ishin të rrezikshëm në disa raste teksa po afrohej fundi i takimit. Sidoqoftë, ishin vendasit ata që e realizuan golin e fitores.
Pas një harkimi në zonë, Mohamed Salah goditi me kokë, ndërsa topin e kthyer nga portieri, Toby Alderweireld e futi gabimisht në portë (90′).
Me këtë fitore, Liverpooli rikthen pozitën e parë në tabelë, me dy pikë më shumë se Manchester City (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar). Tottenham Hotspur qëndron në vend të tretë në tabelë, me një pikë më shumë se Manchester Unitedi që mban pozitën e katërt.
Në xhiron e ardhshme skuadra e Jurgen Klopp luan si mysafir i Soputhamptonit, ndërsa Spursat janë nikoqirë të Crystal Palace. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=-NdSALMXwkk
https://twitter.com/SpaceHalf/status/1112401097539403777