Telegrafi

Liverpool e ka gjetur zëvendësuesin e Van Dijk në akademinë e klubit, një vit më parë luajti në ligë amatore, ndërsa tani ka dy ndeshje në Ligën e Kampionëve

Rhys Williams dhe Virgl Van Dijk

Nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje në Ligën Premier, por pritshmëritë për të janë shumë të mëdha.

Rhys Williams ka luajtur tanimë katër ndeshje për ekipin e parë të Liverpoolit, dy në EFL Cup dhe dy të tjera si zëvendësues në Ligën e Kampionëve.

Qendërmbrojtësi i talentuar anglez po shihet si zëvendësuesi adekuat i holandezit Virgil Van Dijk që ka pësuar një lëndim të rëndë dhe do të mbetet jashtë fushave për rreth gjashtë muaj.

Edicionin e kaluar ai ishte i huazuar te Kidderminister duke fituar përvojë të mirë me ekipin e parë.

Mirëpo në Angli kanë filluar të shkruajnë për të si zëvendësuesi adekuat i Van Dijk, duke parë edhe gjatësinë e përafërt.

Skuadra ku ishte ai i huazuar Kidderminister nuk bënë pjesë në futbollin profesionist dhe në Angli të gjithë po befasohen si ai bëri hapin gjigant nga një ligë jo profesioniste në Ligën e Kampionëve.

Klopp i ka dhënë hapësira atij në ndeshjet ndaj Ajax dhe Midtjyland, ndërsa Williams ka luajtur nga 90 minuta edhe ndaj Lincoln City e Arsenal.

Paraqitjet e tij po përmirësohen ndeshje pas ndeshje dhe në Liverpool kanë filluar të ëndërrojnë për një mbrojtës të madh nga akademia.

Gjithsesi lojtari ende nuk ka provuar debutimin në Ligën Premier dhe është në pritje për një gjë të tillë.

Krahasimi mes tij dhe Van Dijk tanimë ka filluar në Angli, por Williams po qëndron me këmbë në tokë për të pritur mundësitë që t’i shfrytëzojë me ekipin e parë të The Reds.

19-vjeçari ka luajtur edhe për grupmoshat e Anglisë U-18 dhe U-19, ndërsa tani pritet që ai të grumbullohet nga U21 falë paraqitjeve të mira me ekipin e parë.

Pas Alexander-Arnold dhe Joe Gomez, një tjetër mbrojtës me të ardhme pritet të jetë në ekipin e parë të The Reds nga akademia e tyre. /Telegrafi/