Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku ka takuar krerët shtetëror, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin, Isa Mustafa.
Pas këtyre takimeve Mogherini dhe Mustafa po bëjnë një adresim të përbashkët për media, të cilin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në videon më poshtë.
Pas orës 11:00 Mogherini do të takohet edhe me udhëheqësit e partive politike parlamentare, përfshirë ato opozitare.
Në agjendën e dërguar nga Zyra e BE-së, konfirmohet se ajo do të vizitojë urën e Mitrovicës, ku kohët e fundit kishte zhvillime dramatike në lidhje me ndërtimin e parkut mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit. Aty, Bashkimi Evropian është i përfshirë në projektin për lëvizjen e lirë mbi dhe përreth urës kryesore mbi lumin Ibër.