Nëse në sektorin publik bëhet digjitalizimi i një shërbimi, ai duhet që si i tillë tu ofrohet qytetarëve. Në rast se lëmë hapësirë që të mund ta përpunojmë me mënyrën e vjetër atëherë do ta kemi shumë të vështirë të përmirësojmë transformimin digjital në shoqëri, vlerëson ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu. Siç thekson ai, MSHIA po krijon një infrastrukturë bashkë me “Postat” në 333 lokacione ku do të ketë vetëm një pikë shërbimi që do tu ofroj qytetarëve të cilët nuk dinë që të hapin llogari në portalin kombëtar e që nuk kanë akses në internet apo teknologji.
Sipas tij, deri në fund të javës së ardhshme duhet të definohet se si do të realizohet ky projekt. “Sidoqoftë, edhe nëse ligji nuk ndryshohet, ne do ta procedojmë pasi vlerësojmë se është e rëndësishme siç thash, përveç digjitalizimit do kemi edhe një infrastrukturë ku qytetarët do të kenë akses në ato shërbime”, tha Aliu duke folur edhe për mundësinë e programit “Evropa Digjitale”.
Derisa foli për gjërat kryesore në të cilat duhet të fokusohet administrata në mënyrë që sa më shpejtë të shihen shërbime të tilla, ai tha se transformimi digjital duhet të ketë një vizion të qartë si dhe procese të përcaktuara. “Një gabim është parë në gjitha vendet të cilët mendojnë se procesi shkon paralel me manualin dhe digjitalin. Me transformimin digjital rezultate më të shpejta vijnë kur ecën hap pas hapi, e në ato hapa që digjitalizon nuk ofroni një mundësi tjetër e cila mund të përpunohet. I njëjti proces është sipas metodologjisë së vjetër ose manuale. Ajo që dua të them është se nëse në sektorin publik digjitalizojmë një shërbim, ai duhet të jetë digjitalizuar dhe si i tillë duhet t’u ofrohet qytetarëve, por në rast se lëmë hapësirë që i njëjti të përpunohet me mënyrën e vjetër, atëherë do ta kemi të vështirë ta përmirësojmë transformimin digjital në shoqëri e shembuj të tillë kemi edhe në shtet”, tha Aliu.
Si shembull ai përmendi edhe institucionet arsimore dhe ditarin elektronik ku tha se nuk është transformim i vërtet i proceseve nëse kemi një ditar elektronik, por nga ana tjetër mësimdhënësit shkruajnë akoma në ekzistueset. “Ne mendojmë se një transformim real i procesit duhet të jetë thjeshtë një proces i digjitalizuar, dhe për këtë edhe po punojmë”, deklaroi mes tjerash Aliu.