Telegrafi

Liturgjia e serbëve në kishën brenda kampusit universitar, reagojnë nga Zyra e kryeministrit

Nga Zyra e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës kanë reaguar për liturgjinë e serbëve që ditë më parë u mbajt në kishën e ashtuquajtur të “Krishtit Shpëtimtar”, e cila ndodhet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet, objekt ky i kontestuar tash e sa kohë.

Shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi përmes një postimi në Twitter ka thënë se synimi i Qeverisë së Serbisë është që të provokojë me anë të kësaj liturgjie.

“Kosova është krenare për tolerancën e saj fetare ndaj të gjitha besimeve, që praktikohet çdo ditë në të gjithë tokat e saj. Synimi i Qeverisë së Serbisë është të provokojë përmes Kishës Ortodokse Serbe, duke mbajtur liturgji brenda kishës së papërfunduar që gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar ai.

Lexo po ashtu Për herë të parë pas luftës, serbët kryejnë ritet fetare në kishën që ndodhet në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës

Dalipi po ashtu tha se Qeveria e Serbisë duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të hap një kapitull të ri të paqes duke njohur shtetësinë e Kosovës.

“Ne e shtyjmë Qeverinë serbe të përballet me të kaluarën e saj, në vend që të përpiqet të avancojë agjendat e saj politike nën petkun e besimit. Mesazhi ynë për ta është që të ndalojnë së qari, të pushojnë së trazuari dhe në vend të kësaj të përqendrohen në hapjen e një kapitulli të ri të paqes duke njohur shtetësinë e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Dalipi. /Telegrafi/