Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vlerësuar sot se “kërcënimet” e ministrit të Jashtëm të Lituanisë, Gabriel Landsbergis, që tha se vendet që nuk i vënë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, do të mund vet të sanksionoheshin “duke i cilësuar si budallallëqe”.
“Budallallëqe, pasi që ministria lituaneze po harron që serbët nuk sulmojnë miqtë dhe nuk duan të shantazhohen, pasi as Bashkimi Evropian nuk i ka vënë sanksionet gazit e naftës ruse”, ka thënë Vulin, transmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se nëse “kërcënimet” lituaneze janë gjuha e Bashkimit Evropian, atëherë anëtarësimi i Serbisë në BE është “akoma më larg sesa që ka menduar të jetë”.
“Ministri lituanez i Punëve të Jashtme do të dëshironte që Serbinë ta mbajë peng dhe ta detyrojë që luftërat e huaja t’i konsideroj si të saj. Serbia zgjedh vet miqtë e saj”, shtoi Vulin që konsiderohet si njeri shumë i afërt i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, ka deklaruar se vendet që po ndihmojnë Rusinë në tejkalimin e sanksioneve, do të duhej “që t’ju bëhet me dije se ato sanksione mund t’ju vihen atyre”.
Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe i dyti në Evropë pas Bjellorusisë, dy shtete këto që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës. /Telegrafi/