Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, mund të heqë dorë nga pavarësia e vendit të tij, dhe të nënshkruajë marrëveshje për integrim të thellë me Rusinë, tha të hënën ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti rus, Vladimir Putin, për shumë vite ka kërkuar lidhje të ngushta me Bjellorusinë, derisa edhe muajin e kaluar hodhi idenë që të dyja vendet të operojnë si një shtet i unifikuar.
Ndërkohë, Lukashenko në të kaluarën nuk ka pranuar lëvizje të tilla duke e akuzuar edhe Rusinë se dëshiron ta “gëlltisë” vendin e tij.
Kështu, tash e një kohë Bjellorusia po përballet me protesta të dhunshme për shkak të rezultatit të zgjedhjeve, ku doli sërish fitues presidenti aktual.
“Rusia mund ta përfundojë shpejt atë që nuk ishte në gjendje ta kryejë për 20 vite”, u shpreh Linkevicius.
Procesi i integrimit midis dy ish republikave sovjetike “vështirë se mund të ndalet”, potencoi ministri i jashtëm në Lituani. /Telegrafi/