Shumë kandidatë për deputetë që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, kanë dënime të plotfuqishme ose presin dënimet finale në procese gjyqësore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe autoritetet e drejtësisë kanë pak ditë në dispozicion që ta thonë fjalën e tyre se cilët kandidatë mund të marrin pjesë në zgjedhje e cilët jo.
Në një grafikë të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, bëhet e ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka 10 kandidatë me aktakuza aktive dhe 2 të dënuar në tri vitet e fundit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 8 kandidatë me aktakuza aktive.
Partia Demokratike e Kosovës, 4 kandidatë me aktakuza aktive dhe 1 i dënuar.
Nisma Socialdemokrate, 1 me aktakuzë aktive dhe 2 të dënuar.
Lista Serbe, 1 me aktakuzë aktive dhe 1 i dënuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, 1 me aktakuzë aktive.
Ndryshe, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në këto zgjedhje nuk mund të lejohen të marrin pjesë kandidatët, të cilët kanë dënim të formës së prerë, në tri vitet e fundit.