Mandatari për përbërjen e qeverisë së re Zdravko Krivokapiq, në një takim me përfaqësuesit e Listës Shqiptare “Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj”, filloi sot negociatat me partitë e pakicave për pjesëmarrjen në qeverinë e re të Malit të Zi.
Pas takimit, Gjeloshaj dhe Nimanbegu pohuan se përparësia e tyre ishte të respektonin zotimet programore të këtij koalicioni, transmeton Telegrafi.
Gjeloshaj tha se Mali i Zi do të ishte më demokratik nëse qëllimet e tyre pranohen, raporton rtcg.me.
“Për ne, zotimet më të rëndësishme programore janë ato që u kemi prezantuar qytetarëve dhe gjërat e fundit për të cilat do të flasim janë ministritë dhe pozitat në qeveri. Nëse biem dakord mbi zotimet e programit, kjo është gjëja më e rëndësishme për ne”, u tha Gjeloshaj gazetarëve pas takimit.
Lista Shqiptare nuk po heq dorë nga kërkesat politike në lidhje me integrimin në BE dhe NATO si dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
“Këto janë kërkesat tona kryesore, të cilat për fat të mirë u nënshkruan midis koalicioneve trepalëshe”, tha Nimanbegu.
Ndryshe, Krivokapiq u tha gazetarëve se do të ketë takime me përfaqësuesit e partive tjera parlamentare. /Telegrafi/