Telegrafi

As Lista Serbe nuk e di kur do të kthehet në institucione

Bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe si duket do të zgjasë edhe pak kohë. Kjo për faktin se nuk ka ndonjë paralajmërim se zyrtarët e këtij formacioni politik do të kthehen në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

Mungesa e deputetëve të kësaj liste në legjislativin është njëri nga faktorët kryesor që po ia pamundëson ekzekutivit kosovar që ta kaloj marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq, ka thënë për Telegrafin se nuk e di se kur do të kthehen ata në institucionet e vendit.

“Nuk e di edhe nuk mund të komentoj më shumë për këtë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, dje ka theksuar se Lista Serbe në asnjë moment nuk i ka “ngrirë” funksionet e zyrtarëve të saj në Qeverinë e Kosovës.

Lexo po ashtu Gecaj: Lista serbe nuk i ka “ngrirë” asnjëherë funksionet në Qeveri

“Në ditët në vijim do të takohemi dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha brengat të cilat mund t’i kenë”, ka shtuar Gecaj.

Ndryshe, Lista Serbe brenda pak ditësh ka dërguar për interpretim dy ligje në Gjykatën Kushtetuese, atë të Trepçës dhe Ligjin për Investime. /Telegrafi/