Site icon Telegrafi

Lista ruse e “ekstremistëve” dhe tortura e myslimanëve

Ankthi i Arsen Gasanovit ka filluar një pasdite në fund të shkurtit të vitit 2016, dhe ky ankth nuk ka përfunduar ende.

Në ditën e fundit të muajit shkurt, Gasanov, ishte nisur për të marrë nga shkolla një nga gjashtë fëmijët e tij dhe pasi kishte arritur 40 minuta më herët, ai vendosi të ndalej te një xhami.

Një polic e ndaloi atë, i kërkoi pasaportën e tij dhe e shoqëroi për në stacionin policor në Sovetsky.

Kur arritën në stacionin policor, ai gjeti dhjetëra të rinj aty, që të gjithë po merreshin në pyetje, fotografoheshin dhe u merreshin shenjat e gishtërinjve.

“Ata më pyetën se sa gjatë kisha që shkoja në xhami dhe çfarë myslimani isha”, kujton Gasanov. Ata, po ashtu, e kishin pyetur se në cilën xhami shkonte ai.

Gasanov nënshkroi një deklaratë, por refuzoi t’i jepte shenjat e gishtërinjve dhe çuditërisht ai u la i lirë.

Më vonë, Gasanov e kuptoi se emri i tij ishte vendosur në listën sekrete të terroristëve, si “ekstremist” potencial.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se lista është krijuar në bazë të dy urdhrave të lëshuar nga ministri i Brendshëm i Daghestanit, në periudhën 2015 – 2016.

“Asnjëri nga këta urdhra nuk është bërë publik”, tha avokatja Galina Tarasova, nga qendra për të drejtat e njeriut “Memorial”, e cila po përfaqëson Gasanovin.

Pasojat e të qenët në këtë listë, janë të pakëndshme, tha Tarasova.

Pas padive nga Qendra “Memorial”, ministri i Brendshëm i Daghestanit Abdurhadid Magomedov, njoftoi në fillim të vitit 2017 se lista ishte anuluar dhe të gjitha të dhënat ishin shkatërruar.

Tarasova tha se pas këtij njoftimi, ndalimet u zvogëluan, por kurrë nuk u ndalën.

“Tani është më e vështirë të luftojmë. Lista nuk ekziston tashmë, por mënyra e sjelljes së policisë nuk ka ndryshuar. Dhe, ky është rasti me Arsen Gasanovin”, theksoi Tarasova.

Gasanov ka diplomuar në Akademinë Artistike “Dzhemal” dhe në Universitetin Pedagogjik në Dagestan, si argjendar. Pas diplomimit, ai u zhvendos në Moskë, ku jetoi për 10 vjet.

Rreth 15 vjet më parë, ai filloi herë pas here të vizitonte xhaminë, sikurse shumica e personave në këtë republikë ku më shumë se 80 për qind e popullsisë është myslimane.

Megjithatë, Gasanov thekson se as ai, as ndonjë nga të afërmit e tij, nuk ka praktikuar ndonjë formë radikale të islamit.

Në tetor të vitit 2016, oficeri policor Murad Khalayev shkoi në shtëpinë e Gasanovit. Ai shpjegoi se prej asaj kohe ai e thërriste çdo javë për të kuptuar se çfarë po bënte Gasanov.

Ndërsa më vonë, kërkoi nga Gasanov të shkonte në stacionin e policisë për të dhënë shenjat e gishtërinjve, ADN-në dhe mostrat e zërit.

Pas një kohe Gasanov e kishte kuptuar se ishte në listën e “ekstremistëve” dhe ishte drejtuar për ndihmë te grupi për të drejtat e njeriut “Memorial”.

Derisa Gasanov ishte në qendër për ndihmë, ai kishte pranuar një mesazh nga oficeri Khalayev duke i thënë se kishte ngritur urdhër-arrest kundër tij. Kjo nuk kishte ndodhur, ndërsa Gasanov kishte denoncuar oficerin.

Edhe pas padisë, thirrjet nga policia kanë vazhduar për Gasanovin, duke i thënë se ai duhet të paraqitej para “komisionit” në Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që të largohej nga lista e terrorizmit.

RFE/RL-ja ka tentuar të kontaktojë ministrin e Brendshëm rus, por ai nuk është përgjigjur.

Derisa Gasanov përballet me këtë ankth, ai frikësohet se një ditë mund të zhduket dhe të lërë familjen së bashku me gjashtë fëmijët e tij./REL/

Exit mobile version