Site icon Telegrafi

Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, 41 mijë e 12 qytetarë do të votojnë për herë të parë

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kohë më parë ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021, ndërsa numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues.

KQZ njofton se prej 41 mijë e 12 votues, 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban:

– 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

– Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë, është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

– Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021, është: 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues.

– Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues.

– Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 korrik dhe është përmbyllur më 18 gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532 ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

– Të gjithë aplikuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës mund të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 15 shtator. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor 2021.

– Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version