Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, njëherësh anëtar i Listës “Guxo”, Fatoni Peci, ka folur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Peci në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com deklaroi se prezenca e ministrave në tubime zgjedhore është legale dhe legjitime.
“Praktikat e këqija çdo njeri normal nuk guxon t’i përsëris, pasi që nëse përsërisim praktikat e këqija ne jemi të destinuar të humbin përkrahjen qytetare, dhe mendoj që ne nuk mundemi me u kthy pas, te pjesa që prezenca e ministrave me pasqyru programet dhe idetë është legale dhe legjitime”, u shpreh ai.
Peci gjatë intervistës tha se në këto zgjedhje, kanë vetëm një kandidat për kryetar të komunës së Dragashit.
“Ne jemi në vazhdimin e dakordimit që e kishim fillestar më 14 janar 2021, ku ne nënshkruajtëm marrëveshjen e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, ne kishim rënë dakord që nuk do të jemi bashkë vetëm në zgjedhjet nacionale por edhe në ato lokale. Në nivel të kandidaturave për kryetar, ne kemi vetëm një kandidate, kandidatja jonë është në Dragash. Kemi pas edhe kandidatura tjera për komuna tjera”, pohoi ai.
Peci shtoi tutje se si Lista “Guxo”, kanë pasur ambicie më të mëdha për zgjedhje, por që janë duke u treguar korrekt me partnerin e tyre, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Konkurrojmë në 16 komuna me nivel të asamblistëve, me lista të përbashkëta, kemi 66 anëtarë për asamblistë, dhe ne jemi tu tentu që të ofrojmë ide”, tha mes tjerash ai.
Në emisionin “Përballje”, ministri Peci ka folur edhe për keqpërdorimet me grante dhe subvencione, hapjen e afatit për përkrahjen e fermerëve dhe kthimin e pronave të uzurpuara të kësaj ministrie. /Telegrafi/