Telegrafi

Lisandro Martinez: Kur veshim fanellën e Kombëtares, jemi të gatshëm ta japim jetën

Argjentina ka arritur për herë të tretë të fitoj titullin e kampionit të Botës.

Pritjes 36 vjeçare i erdhi fundi një javë më parë, kur argjentinasit arritën të fitonin Kupën e Botës pas një finale spektakolare ndaj Francës, e që përfundoi 4-2 në penallti pasi koha e rregullt dhe shtesa përfunduan baras 3-3.

Lisandro Martinez është rikthyer të flas për triumfin në Katar, teksa ka shpjeguar ndjenjat që ka kur luan për Kombëtaren.

“Ishte një emocion i madh dhe një krenari të jem aty. Ishte Kupa e Botës e para për mua, por unë isha i fokusuar që nga fillimi, me synimin për tu bërë kampion”, tha Martinez.

Tutje qendërmbrojtësi i Manchester United deklaroi se duhet të japësh jetën në momentin që vesh fanellën e Kombëtares argjentinas.

“Ne shkuam nga më pak në më shumë dhe njerëzit u identifikuan shumë me lojën tonë, ne treguam futboll të mirë dhe kjo është ajo që na karakterizon ne argjentinasit”.

“Duhet të jeni të predispozuar dhe kur shihni fanellën, emblemën dhe kaq shumë miliona argjentinas pas jush, duhet të japësh jetën për të gjithë ata. Më e pakta që mund të bëjmë është kjo”, deklaroi qendërmbrojtësi i United.

Martinez do të rikthehet në Angli për të vazhduar te Djajtë e Kuq ku synon të arrijë suksese edhe me klubin. /Telegrafi/