Pas lirimit nga aktakuza, mjeku Gani Bajraktari e ka përgëzuar trupin gjykues lidhur me shpalljen e aktgjykimit lirues ndaj tij dhe 35 kolegëve të tij në rastin “Stenta 2”, duke e quajtur aktakuzë joprofesionale, e shkruar me nguti dhe për të dëmtuar atë dhe kolegët.
“Unë përgëzoj trupin gjykues sot që ishte korrekt sesa kolegët e mi që e dinin që nuk kanë bërë ndonjë faj, ata vetëm kanë referuar pacientët konform udhëzimeve administrative, asgjë më shumë. Por, fatkeqësia ishte sepse kjo maskaradë, kjo lojë zgjati më shumë se 7 vjet, dhe unë besoj se është një shembull i mirë për të mos u përsëritur nga ata që e kanë në dorë fatin e njerëzve siç ishte prokurori i rastit, i cili për fat të keq bëri një aktakuzë sharlatane, joprofesionale, të shkruar me nguti për të më dëmtuar mua dhe kolegët e mi”, tha Bajrakatari, për “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se iu është shkaktuar dëm i madh pacientëve, e veçanërisht mjekëve.
“Duke shkaktuar po ashtu dëm të madh në radhë të parë pacientëve të cilët janë frikësuar për trajtimin e tyre dhe kanë pësuar vdekje të shumta të cilat po të bëhet një studim i mirëfilltë do të jenë me numër katastrofal”, tha Bajraktari.
Ndërsa, për prokurorin që e ka përpiluar aktakuzën, Besim Kelmendi, Bajraktari ka thënë se është “një profesionist, që për fat të keq sot udhëheq Prokurorinë e Shtetit”.
Edhe mjeku Besim Guda, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi” tha se dëmi është i madh tek pacientët.
“Nuk ka ndjeshmëri më të madhe sesa lufta me vdekje”, tha Guda, duke shtuar se do ta shohin mundësinë nëse do të paraqesin kërkesë për dëmshpërblim.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me prokuroren speciale Florije Shamolli, për ta pyetur nëse do të paraqesin ankesë lidhur me aktgjykimin lirues që është marrë sot në rastin “Stenta 2”, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur, duke thënë se nuk ka kohë
Ndryhse, 36 të akuzuarit: Gani Bajraktari, Afërdita Selmanaj, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli, u liruan nga akuza pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.