Site icon Telegrafi

Lirohet shtetasi i dytë gjerman i arrestuar në Turqi

Një gjykatë turke urdhëroi sot lirimin e një shtetasi gjerman, arrestimi i të cilit javën e kaluar shkaktoi zemërimin e Berlinit, njofton agjencia turke e lajmeve Dogan.

Sipas kësaj agjencie, shtetasit gjerman K.A. i është ndaluar largimi nga Turqia.

Ai ishte arrestuar së bashku me një femër turke të enjten e kaluar, në kuadër të hetimeve për lëvizjen e imamit Fetullah Gulen, të cilin Turqia e konsideron si organizator të puçit të dështuar më 2016. Gulen, i cili jeton në SHBA, ka hedhur poshtë akuzat se është përfshirë në puç.

Agjencia Dogan shkruan se shtetasi gjerman është me origjinë turke dhe se ai kishte ardhur për pushime në Turqi.

Autoritetet gjermane njoftuan të hënën se edhe gruaja S.A., me të cilën ai kishte ardhur për pushime, është liruar.

Berlini kishte dënuar ashpër arrestimin e tyre, duke e quajtur këtë masë të motivuar politikisht, për shkak të kontestit ndërmjet dy shteteve.

Marrëdhëniet Turqi-Gjermani janë tensionuar pas puçit të dështuar ushtarak të 15 korrikut 2016.

Exit mobile version