Telegrafi

Lirohet nga spitali Sekretari amerikan i Mbrojtjes

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është liruar nga spitali, tha Pentagoni sot, dy javë pasi u pranua për ndërlikime nga operacioni i kancerit të prostatës.

Austin po shërohet “mirë” dhe do të punojë nga shtëpia “për ca kohë përpara se të kthehet me kohë të plotë në Pentagon”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

“Ai ka qasje të plotë në aftësitë e nevojshme të komunikimit të sigurt”, shtuan ata.

Austin tha në një deklaratë se është “mirënjohës për kujdesin e shkëlqyer që mori në Qendrën Mjekësore Kombëtare të Ushtrisë Walter Reed”, dhe falënderoi “mjekët dhe stafin mjekësor të shquar për profesionalizmin dhe mbështetjen e tyre të shkëlqyer”.

70-vjeçari njoftoi opinionin javën e kaluar se kishte kancer në prostatë, pasi u operua në dhjetor. Ai u shtrua në spitalin ushtarak më 1 janar me komplikacione. Vetëm më 5 janar, Pentagoni informoi opinionin se shefi i mbrojtjes ishte shtruar në spital.

Më vonë doli se edhe Shtëpia e Bardhë kishte qenë në errësirë ​​për diagnozën, trajtimin dhe shtrimin në spital të Austin për disa kohë.

Fshehtësia ka shkaktuar një skandal të vogël – veçanërisht teksa luftërat në Gaza dhe Ukrainë janë ndezur – por presidenti Joe Biden tha javën e kaluar se ai ende ka besim te Austin. /Telegrafi/