Është liruar nga masa e paraburgimit, kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi i cili ishte arrestuar në janar të këtij viti në rastin “Brezovica”. Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Ferizaj.
Avokati i tij, Haxhi Millaku ka treguar se masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e kufizimit të lëvizjes.
Ai tha se kjo masë është paraparë të jetë 60 ditë.
“Sot ai është në liri, përkatësisht në zëvendësim të masës prej paraburgimit në masën e kufizimit të lirisë, në kuptimin që të mos iu afrohet punës dhe vendeve të caktuara. Kjo masë do t’i vazhdohet për 60 ditë”, tha Millaku.
Halimiishte arrestuar në janarin e këtij viti gjatë një aksioni i cili ishte në kuadër të rastit “Brezovica”.
Kujtojmë se pas rigjykimit, Bedri Halimi, si dhe katër inspektorë të Komunës së Prizrenit, E.B, N.M, B.K dhe R.D, ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 maj 2021 i kishte shpallur të pafajshëm katër të lartpërmendurit, lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas ankesës të ushtruar nga prokuroria, Gjykata e Apelit më 25 janar 2022 e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale procedurale.kp/Telegrafi/