Site icon Telegrafi

Merret vendim për lirimin e Hysni Gucatit, javën e ardhshme pritet të vijë në Kosovë

Foto: Arkiv

Gjykata Speciale tashmë ka marrë vendim për lirimin e parakohshëm të ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati nga burgu i Hagës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka konfirmuar për Telegrafin se Gjykata Speciale ka marrë vendim për lirim me kusht ndaj Hysni Gucatit.

I pyetur nëse vendimi i njëjtë është marrë edhe për Nasim Haradinaj, ai tha se ndaj tij një tjetër vendim pritet të jepet pas dy ose tri muaj.

Po ashtu Telegrafi ka dërguar pyetje zyrës për informim në Gjykatën Speciale, por të njëjtin ende nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë prej shtatorit të vitit 2020.

Më 18 maj të vitit 2022 ata u shpallën fajtor për pengim të administrimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Ndërsa në muajin shkurt të këtij viti Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosi të ulë dënimet vetëm për tre muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version