Site icon Telegrafi

Lirohet gruaja e akuzuar për vrasjen e gjysmë vëllait të Kim Jong-un, kamerat e kishin filmuar dy vite më parë duke i hedhur gaz nervoz në fytyrë (Foto/Video)

Gjykata në Kuala Lumpur e ka liruar nga akuzat indonezianen Siti Ajsija për vrasjen e Kim Jong-nam, gjysmë-vëllanë e liderit të Koresë së Veriut.

Kim Jong-nam kishte vdekur në aeroportin e Kuala Lumpur më 13 shkurt të vitit 2017, kur dy femra i hodhën në fytyrë gazin nervoz VX, transmeton Telegrafi.

E dyshuara Ajsija dhe vietnamezja Doan Ti Huong, janë deklaruar të pafajshme pasi nuk e kanë ditur se do të vrisnin gjysmë vëllanë e Kim Jong-un, duke pretenduar se ishin të bindur se janë duke marrë pjesë në një kamerë të fshehtë të organizuar nga një televizion.

Kamerat e sigurisë kishin filmuar këtë vrasje spektakolare, e cila për muaj të tërë ka qenë kryelajm i mediave botërore. E pas shumë muajve procese gjyqësore, gjykata ka kërkuar lirimin e Ajsijas duke mos dhënë arsye për këtë vendim.

“Jam e lumtur! Nuk e di si ka ndodhur kjo, nuk e kam pritur”, ka deklaruar ajo para gjykatësit.

Siç raporton BBC, duket se janë humbur dëshmitë kundër Ajsijas dhe kështu në mungesë të tyre është liruar. /Telegrafi/

Exit mobile version