Telegrafi

Lirohen nga spitali 12 pacientët të cilët dyshohet se u helmuan me zarfet nga Serbia

Dymbëdhjetë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë ankuar për reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga Serbia, janë liruar nga spitali, kanë bërë të ditur zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu. Fazliu bëri të ditur se pacientët janë liruar të premten.

Lexo po ashtu Prokuroria thotë se i ka dërguar jashtë Kosovës mostrat e zarfeve nga Serbia

“Pas trajrimit disa ditësh në Klinikën Infektive, të gjithë janë liruar ditën e premte nga Klinika Infektive”, tha Fazliu.

Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht kanë qenë 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 prej tyre kanë përfunduar të shtrirë në spital.

Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet pas raportimeve se te këta persona janë shfaqur reaksione alergjike pas hapjes së këtyre zarfeve.

Mostrat e zarfeve me votat nga Serbia, sipas Prokurorisë së Kosovës, kanë përfunduar për ekzaminim në një laborator të një shteti evropian, por nuk tregohet se në cilin vend. /Telegrafi/