Site icon Telegrafi

Lirimi nga burgu i Saimir Tahirit, zbulohet arsyeja që bindi gjykatën

Foto: Arkiv

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u lirua këtë të premte nga burgu me vendim të Gjykatës së Elbasanit.

Gjyqtarja Matilda Fetahu ka pranuar kërkesën e prokurorisë për rrethana lehtësuese familjare ndaj Tahirit, nën argumentin se atij i duhej të kujdesej për fëmijët e mitur për shkak të problemeve shëndetësore të bashkëshortes.

Euronews Albania bën me dije se në prokurori janë paraqitur dy akt-ekspertiza mjekësore të cila konfirmojnë gjendjen shëndetësore të bashkëshortes.

Me këtë vendim Tahiri do të duhet ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 1.8 vite në banesë.

Lexo po ashtu Del nga burgu ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, do të vazhdojë dënimin në shtëpi

“Gjyqtarja Matilda Fetahu ka pranuar kërkesën e prokurorisë për lirimin e ish-ministrit të BrendshëmSaimir Tahiri, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg nën akuzën për “Shpërdorim detyre”. Tashmë Saimir Tahiri pjesën e mbetur të dënimit do ta vuajë në shtëpi, pasi sipas prokurorisë janë paraqitur dy akt-ekspertiza mjekësore të cila konfirmojnë faktin se ish-ministri nuk mund të qëndrojë më në qeli dhe pjesën e mbetur të dënimit rreth dy vite do ta vuajë në shtëpi”, tha gazetari i Euronews Eni Ferhati.

Ndërkohë që beteja ligjore vijon, pasi SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon dimin e ish-ministrit për “Trafik droge” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

“Prokuroria e Posaçme nuk është pajtuar me dënimin e tij për “Shpërdorim detyre” dhe ka depozituar në Gjykatën e Lartë një rekurs, ku kërkon që ish-zyrtari i lartë të dënohet me 12 vite burg për “Trafik droge” dhe “Grup të strukturuar kriminal””, tha Ferhati.

Ish-ministri i Brendshëm u dënua më 4 shkurt të vitit 2022 me 5 vite burg për ‘Shpërdorim detyre, por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj.

Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre”, pasi në GJKKO u rrëzuan akuzat për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. /Telegrafi/

Exit mobile version