Lirimi i hapësirave publike veçse ka filluar të realizohet përgjatë gjithë rrugës “Ibrahim Mazreku”, në Komunën e Malishevës, kjo në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrugës ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë”, i cili pritet të kryhet në muajin qershor.
Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Valmir Gashi në një prononcim për Telegrafin tha se jetësimi i projektit madhor për Malishevën urbane ka nisur më 21 tetor të vitit 2022.
“Ndërtimi i rrugës ‘Ibrahim Mazreku’ është vetëm një segment i projektit tonë të madh, ku më pas do të vijojmë edhe me ndërtimin e sheshit dhe zonave tjera të qytetit, deri në urbanizimin e plotë të Malishevës sonë.
Malisheva Urbane është një projekt i madh, që merr kohë dhe mund të krijojë ngarkesa në trafik, dhe për këtë me sinqeritetin më të madh kërkoj mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe të bizneseve, të cilat preken nga ky projekt, veçmas gjatë kohës sa do zgjasin punimet”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, ky projekt i cili kap vlerën rreth 2.7 milionë euro është i ndarë në tri faza, duke thënë se aktualisht janë në fazën e dytë.
Gashi u shpreh se për vetëm 40 ditë, me orare të zgjatura të punës e me dy ndërrime, në 600 orë pune ka përfunduar faza e parë e punimeve në projektin: Rruga dhe Sheshi ‘Ibrahim Mazreku ‘ në qendrën e qytetit të Malishevës.
“Vërshimet nga shiu të cilat e shndërronin qytetin ndonjëherë në “liqe”, tani do të largohen përmes kanalit atmosferik nga betoni i armuar me kapacitet 2,000 litra në sekondë e që do të përcjell gjithë sasinë e ujit nga qendra deri në dalje të qytetit.
Vështirësitë e bizneseve dhe gjithë qytetit për kyçje të kanalizimeve fekale tani do të eliminohen me gypin e brinjëzuar 800 m me kualitetin me superior SN8 i cili do të grumbullojë gjithë sasinë e ujërave të zeza përgjatë qytetit deri në kolektorë. Kaosi i shtyllave elektrike dhe kabllove tani do eliminohet me kanalet nëntokësore nga të dy anët e rrugës e ku do të vendosen kabllot energjetikë si dhe të gjithë operatorët tjerë kabllorë”, tregoi ai.
Ndërsa, siç theksoi Gashi ka filluar të realizohet lirimi i hapësirave publike përgjatë gjithë rrugës “Ibrahim Mazreku”, e cila sipas tij deri tani është duke ecur mirë.
“Për këtë u jemi mirënjohës qytetarëve dhe bizneseve për mirëkuptimin që po tregojnë gjatë realizimit të kësaj faze. tutje faza tjetër e projektit parasheh shëtitoren e re, ndriçim LED me kapacitetet me të larta për ndriçimet publike, kubëza me dizajnë të ndryshme në tri nuanca, ulëse për këmbësor, shporta për mbeturina e hapësira të gjelbëruara”, tregoi Gashi për Telegrafin.
Tutje Gashi shtoi se: “Ky projekt parashihet të përfundoj në muajin qershor të këtij viti, gjithnjë nëse ecën çdo gjë mirë”. /Telegrafi/