Telegrafi

Lirimi i 4 të arrestuarve për skandalin e pagave, Alibeaj: Drejtësia u vu në shërbim të Edi Ramës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dënuar vendimin e gjykatës për të liruar nga burgu 4 të arrestuarit për skandalin e pagave në Shqipëri.

Alibeaj tha se vendimi i sotëm është dëshmi e qartë se, kryeministri Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qartë se autorët e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjike normale që të justifikojë gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat që kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës. Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.

Lexo po ashtu Skandali i pagave në Shqipëri, lirohen 4 të arrestuarit

Sipas tij, të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet e 25 prillit.

“Partia Demokratike dënon ndërhyrjen flagrante të Edi Ramës në vendimin për të liruar vartësit e tij dhe për të mos i shkuar deri në fund skemës kriminale të patronazhimit përmes vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve”, ka përfunduar ai. /Euronews.al/