Site icon Telegrafi

Lirime për turistet serb deri në fund të vitit edhe në hotelet e Ohrit dhe Strugës

Deri në fund të vitit, turistët serb në hotelet e Ohrit dhe Strugës do të kenë lirime prej 20 përqind.

Në kulmin e sezonit, prej 15 korrik deri 15 gusht, një pjesë e hoteleve që nuk do të mund të ofrojnë lirime prej 20 përqind, do të ofrojnë 10 përqind, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Krste Bllazheski nga HOTAM, thotë se kjo vjen me qëllim që të falënderohet Serbia për ndihmën që e ka dhënë për imunizimin e popullsisë në RMV kundër coronavirusit.

Ai tha se përparësi është se shumica e shtetasve serb janë të vaksinuar, duke shtuar se është në interes të shtetit të ketë sezon veror të sigurt.

“Shumica e hoteleve do të ofrojnë zbritje prej 20%. Turistët serbë do të jenë në gjendje ta përdorin këtë zbritje këtë verë, por edhe deri në fund të vitit 2021, dmth do të mund të marrin zbritje për Vitin e Ri. Se cili hotel çfarë lirime ofron, ata mund të kontrollojnë në faqet e internetit të hoteleve, por edhe me agjentët nëse planifikojnë të vijnë përmes një agjencie udhëtimesh”.

“20,000 shtretër janë në dispozicion, dhe është normale që disa prej tyre do të mbushen me mysafirë vendorë. Këtë verë ne presim që të mbushen mbi 90%, nëse ky trendi i rënies së infektimeve dhe nëse nuk ndodh ndonjë valë e re”, tha Bllazheski.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë nga 15 qershori deri 15 gusht, shtetasit serb nuk do të paguajnë pagesa rrugore në RMV./Telegrafi/

Exit mobile version