Liria ka pësuar humbje (0-1) në ndeshjen e parë sezonale nga skuadra e promovuar në Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, asnjëra nga skuadrat nuk arriti ta gjente rrjetën në fraksionin e parë të lojës.
Edhe në gjysmën e dytë të takimit, ekipet nuk arrinin që ta gjenin portën dhe pritej që t’i ndanin pikët.
Mirëpo, në minutat shtesë u shënua goli i fitores nga Ballkani, realizues i të cilit ishte Borce Manevski (90’+4).
Nga ana tjetër, në stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë, është zhvilluar ndeshja ndërmjet Llapit dhe Drenicës.
Takimin e fitoi skuadra mysafire duke i arkëtuar tri pikët e para në edicionin 2018/2019 në Superligën e Kosovës në futboll.
Armend Abazi e shënoi golin e vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+2).
Ndërsa vlen të theksohet se Llapi e kërkoi vazhdimisht golin në pjesën e dytë, e sidomos në minutat e fundit, por dështoi ta barazonte rezultatin. /Telegrafi/