Site icon Telegrafi

Liria ia shkakton humbjen e katërt radhazi Llapit, prizrenasit fitojnë në udhëtim dhe ngjiten në vendin e tretë

Skuadra prizrenase, Liria ka fituar në udhëtim te Llapi i Podujevës me rezultat 0-2.

Skuadra e Bledi Shkëmbit ka arritur ta marr një fitore të madhe në udhëtimin e tyre në Zahir Pajaziti në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Superligës së Kosovës.

Liria e ka fituar këtë takim duke luajtur mirë për 90 minuta dhe duke ia shkaktuar kështu humbjen e katërt radhazi në sezonin pranveror, Llapit.

Pjesa e parë ishte diçka më e mirë për vendasit të cilët rrezikuan me Festim Alidemën (5′), Mentor Zhdrellën (29′) dhe Mirlind Daku (36′), por dështuan të gjejnë golin dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola.

Në pjesën e dytë, Liria u ngjall duke fituar terren dhe duke pasur një rast ideal për gol me Mevlan Zekën (56′), por gjakovari humbi i vetëm përball portierit.

Megjithatë, goli për prizrenasit nuk mungoi të cilët shënuan me anë të mbrojtësit David Domgjoni (62′), i cili shënoi nga afërsia për 0-1.

Luhej minuta e 86-të e ndeshjes dhe Liria gjeti edhe golin e dytë me anë të Artur Maganit, i cili shënoi për 2-0 pas një harkimi fantastik të Toungaras dhe siguroi fitoren e skuadrës së tij.

Pas kësaj fitore, Liria ngjitet në vendin e tretë me 37 pikë të mbledhura, ndërsa Llapi renditet në pozitën e gjashtë me 34 pikë.

Në ndeshjen e radhës, e cila e nis turnin e tretë të ndeshjeve, Liria dhe Llapi do t’i mësojnë kundërshtarët pas kalkulimeve në renditjen tabelore. /Telegrafi/

Exit mobile version