Ndodh që nxënësi bëhet më i mirë se mësuesi dhe kjo është më se e vërtetë në futboll.
Kështu ka ndodhur edhe në javën e 14-të të Superligës së Kosovës, kur Blendi Shkëmbi në drejtimin e Lirisë ka arritur një fitore shumë të rëndësishme përballë Prishtinës, së drejtuar nga Mirel Josa.
Prizrenasit para shikuesve të vetë kanë arritur të fitojnë në stadiumin “Përparim Thaçi” kundër Prishtinës me rezultat minimal, 1-0.
Pjesa e parë përfundoi me aksione të bukura që kanë mundur të përfundojnë me gola, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Fillimisht, në të 14 minutë Jetmir Sefa testoi nga ndërprerja portiern Visar Beka, i cili për mrekulli largoi topin jashtë fushës.
Gjashtë minuta më vonë, ish-futbollisti i Lirisë, Liridon Fetahaj tenton ta mposht portierin e prizrenasve, Bakajn, i cili iu mohon një gol të sigurt prishtinasve.
Pjesa e dytë ishte më e shpejtë dhe me më pak ndërhyrje të palejuar, e cila lejoi të shohim aksione në të dyja anët.
Rastin më të mirë deri në minutën e 60 të takimit e kishin “Arpagjik’t”, të cilët goditën shtyllën horizontale të mysafirëve përmes kapitenit Meriton Korenica, i cili shumë bukur e ekzekutoi gjuajtjen e lirë.
Goli u realizua në të 74 minutë, kur Zenel Gavazaj dha një pasim të saktë në drejtim të Artur Maganit, i cili nga afërsia dërgoi topin në portën e prishtinasve.
Ahmed Januzi pati rastin më të mirë për të barazuar rezultatin në të 80 minutë, por shpërdoroi në rast mjaft të bukur.
Deri në fund të ndeshjes te dyja skuadrat krijuan edhe disa gjysmëraste, por të cilat nuk u konkretizuan dhe në këtë formë Liria i hakmerret Prishtinës për humbjen në takim e parë me rezultat të njëjtë, 1-0.
Pas kësaj, Prishtina mbetet në pozitën e dytë të renditjes tabelore me 23 pikë ndërsa Liria ngritët në vendin e katërt me 22 sosh.
Ndryshe, Liria do të jetë mysafirë i Dritës në xhiron e ardhshme ndërsa Prishtina do ta pres Drenicën. /Telegrafi/