Liria ka barazuar në shtëpi në derbin e vjetër ndaj Vëllaznimit me rezultat 1-1.
Rreth 1.500 shikues u mblodhën në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren për të shikuar një derbi në mesjavë ndaj Vëllaznimit që ishte kundërshtari i parë i xhiros së 23-të.
Tekniku Bledi Shkëmbi iu kthye formacionit të tij të vjetër para ndeshjes ndaj Llapit, përkundër fitores të siguruar në udhëtim.
Pas 19 minutash lojë ishte Asare ai që ishte fare pranë golit nga një ndërprerje, por Liria pati fat për të mos pranuar gol.
Në minutën e 25-të pas një aksioni të shpejtë ishte mesfushori ofensiv, Meriton Korenica që në mënyrë mjeshtërore e vuri në pozitë shënimi Artur Maganin, i cili përballë portierit nuk gaboi për 1-0.
Deri në fund të pjesë së parë, Vëllaznimi kishte mundësi të shënonte nga dy situata, por nuk ia doli, ndërkaq pjesa e parë përfundoi me rezultat 1-0.
Në pjesën e dytë, Vëllaznimi bëri përpjekje dhe gjeti golin e barazimit. Chibuze ishte ai që realizoi për 1-1 dhe golin e barazimit në këtë takim në minutën e 55-të.
Deri në fund Liria insistoi fuqishëm, por nuk gjeti golin e fitores.
Liria vazhdon ta mbajë vendin e tretë me 38 pikë, pesë më pak se lideri Prishtina. /Telegrafi/